Kombëtarja shqiptare ka nisur sot pasdite grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për miqësoren e 26 tetorit ndaj Arabisë Saudite që do të zhvillohet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja janë vënë fillimisht 13 nga 23 lojtarët e ftuar për këtë miqësore me pjesën më të madhe që vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar.
Më konkretisht në këtë seancë të zhvilluar në kompleksin Tropikal në Durrës ishin Arlis Shala, Albion Marku, Erdenis Gurishta, Andi Hadroj, Esin Hakaj, Stivian Janku, Eneo Bitri, Esat Mala, Lorenco Vila, Arinaldo Rrapaj e Xhuliano Skuka nga klubet shqiptare, ndërkohë që morën pjesë edhe mesfushori Odise Roshi dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, të cilit i kishin mbyllur impenjimet e tyre me klubet këtë fundjavë.
Përfaqësuesja kuqezi do të zhvillojë përgatitjet në Durrës deri të hënën pasdite, kur do të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe për miqësoren.
Të martën e 25 tetorit ekipi do të zhvillojë seancën zyrtare në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja të mërkurën, që do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale (16:30 sipas orës shqiptare).