Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 110-të, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve prej 7 milionë eurove për shtesat ndaj punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe për studentët.
Është miratuar edhe vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme edhe për 30 ditë.
Komunikata e plotë e Zyrës së Kryeministrit me të gjitha vendimet:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, kësaj here në formë elektronike në të cilën u miratua:
Vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands. Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje në shumën prej 6,094,051.63 euro.
Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore prej 7 milionë euro për zbatimin e pikës 1.4 dhe 1.6 të Vendimit Nr. 31/99 të datës 30.09.2022, përkatësisht për pagesat e njëhershme për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe pagesat e njëhershme për studentët, dhe për zbatimin e Masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kërkesa për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për muajin nëntor 2022.
Plotësimi dhe ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 15/96 të datës 14 shtator 2022, për të reflektuar ndryshimet e nevojshme për realizimin e pagave të specializantëve.