Monika Kryemadhi ka publikuar sot dosjet që Partia e Lirisë ka dërguar në SPAK, të cilat dëshmojnë se evazioni fiskal i skemave të ngjashme me të inceneratorëve llogaritet në 189 milionë dollarë. Në mesazhin e saj në Fb, Kryemadhi thekson se Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Ramës, Veliajt dhe bashkëpunëtorëve ët tyre.
“ Çdo ditë që kalon, paratë që mund të shkonin për rritje pagash dhe pensionesh, shkojnë për llogari të zyrtarëve të qeverisë, përmes skemës së inceneratorëve, – shkruan Kryemadhi. – Çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëve, me paratë e gjakut të shqiptarëve. E përmes kësaj vjedhje të përditshme, pushteti tenton të korruptojë, manipulojë e kontrollojë edhe çdo qelizë tjetër në vend, që të vijojë i pashqetësuar vjedhjen.
Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë çështje. Zbardhja e inceneratorëve duke mos mbyllur sytë ndaj fakteve, duke kryer hetime me integritet larg intimidimeve apo joshjeve, si dhe ndjekja e parasë së korrupsionit, është pikënisje e një drejtësie të vërtetë e të pavarur në Shqipëri.”