Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë për të shënuar 14-vjetorin e pavarësisë së vendit.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë. Ajo ka përmendur edhe ndihmën e aleatëve të Kosovës në këtë rrugëtim.
Presidentja Osmani është zotuar se “nuk do të ndalen derisa ta bëjnë Kosovën shtet ashtu siç e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meriton secili qytetar i vendit”.
“Institucionet me të gjithë mekanizmat e vet janë garantues se nuk do të lejojmë cenimin e integritetit territorial dhe të rendit juridik të republikës sonë. Do të jemi të vëmendshëm e të vendosur, republika është interesi mbi të gjitha. Ne na lidhë shumëçka me Evropën, por asgjë nuk na ndanë. Në këtë rrugëtim duhet ta ruajmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë, duhet ta forcojmë sundimit e ligjit, ta përmirësojmë edhe më tej qeverisjen në interes të qytetarëve, t’i forcojmë institucionet dhe edhe më tutje ta zhvillojmë ekonominë e vendit”, tha Osmani.
Kryeministri, Albin Kurti në shënimin e 14-vjetorit të pavarësisë se Kosovës ka thënë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për anëtarësimin e saj në institucionet euroatlantike.
Ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.
“Republika e Kosovës është e përcaktuar në anëtarësimin në institucione euroatlantike dhe çdo ditë punojmë për të dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim. Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit, ndërsa NATO është kushti i paqes për të gjithë ne”, është shprehur Kurti.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Deri sot, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.