Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar në Greqi me Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti thotë se diskutimet, të cilat ishin më pak të nxehta se moti, u fokusuan te ulja e tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
“Pata një bisedë të gjatë me EUSR-në Miroslav Lajcak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Kurti ka ndarë edhe një fotografi nga takimi me Lajçak, ku shihen teksa konsumojnë kafen tepër të famshme në Greqi, “Frappe”.
Kryeministri i Kosovës ndodhet prej dy ditësh në Greqi, arsye për të cilën nuk ka marrë pjesë në një takim imformal me krerët e Ballkanit Perëndimor të mbajtur sot në Tiranë.