• Ky Parlament si kurrë ndonjëherë në historinë 31-vjeçare ka drejtimin më banal, më antiligjor, shkurt me një fjalë, funksionon si dyqani personal i Lindës
• Rama shndërroi Tiranën në Beogradin e vogël, ka rrethuar Kosovën me projektin ruso-serb të ‘Ballkanit të Hapur’
• Ministrja këtu mbrapa qesh, pavarësisht se vendi ka regjistruar 20 mijë viktima nga pandemia. E ka vendin te Dumanët, ka bërë tendera sekretë.
• Thirrja për qytetarët, këta nuk kanë asnjë dhembshuri për ju, të ngrihemi në protesta të fuqishme
FJALA E POTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë,
Ky Parlament në 31 vite është parlamenti më i neveritshëm në përbërjen e tij.
Ky Parlament si kurrë ndonjëherë në historinë 31-vjeçare ka drejtimin më banal, më antiligjor, shkurt me një fjalë, funksionon si dyqani personal i Lindës, tek i cili po të ishte për probleme personale, për veshje personale, do të preferoja i zhveshur të rrija dhe të mos blija kurrë.
Nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka rregullore që nuk shkel zonja për të mbrojtur Edi Ramën.
Ky Parlament do të mbetet famëzi në historinë e Shqipërisë sepse me votën e pseudomazhorancës së tij, për presidentin e Partisë Socialiste vulosi në mënyrën më të papërgjegjshme, më antidemokratike dorëzimin për herë të parë pas 31 viteve të të gjitha pushteteve, ekzekutiv, legjislativ gjyqësor, institucioneve të pavarura, pushtet ekonomik një partie të vetme, njëlloj si në Bjellorusinë e Lukashenkos.
Por mbi të gjitha pyes vetes si mund të rri në një sallë me një njeri që ka shndërruar Tiranën në Beogradin e vogël, në kryeqendër të luftës së ftohtë ndaj Prishtinës. Ka rrethuar Kosovën me projektin ruso-serb të ‘Ballkanit të Hapur’ në një garë jo miqësore. Një njeri që refuzon njëlloj si një ultranacionalist serb e vasal i Vuçiç, të njohë gjenocidin ne Srebrenicë. Një njeri që nuk stepet para pafajësisë hyjnore të 1400 fëmijëve të Kosovës që u vranë, u therën, u masakruan, u dogjën të gjallë nga barbarët e Vuçiç që thërriste dhe bërtiste, për një serb të vriten 100 myslimanë.
Çdo ditë unë e pyes veten si mund të rri unë në një sallë me një njeri që ka si interesa të veta interesat serbe dhe antishqiptare. Secili nga ju që dëgjoni këto vlerësime me shumë të drejtë shtoni pyetjen: Çfarë do ti Sali në Parlament? Përgjigjja ime është një dhe vetëm një, unë vij këtu dhe do të vij e nuk mungoj sepse këta qeveritarë në çdo fjalë që thonë vetëm ju mashtrojnë. Dhe së dyti, këta ministra me kreun e tyre në çdo firmë që hedhin vetëm ju vjedhin ju të dashur fëmijë, të rinj, të moshuar, nxënës, studentë, fermerë, biznesmenë, të sëmurë, rrogëtarë të këtij shteti. Atëherë, nuk mund të mos jem unë këtu.
Cilido që mendon se unë po e teproj me këtë që po them e ftoj të shtrojë pyetjen vetes, në rast se rrogëtarë, familjarë, pensionistë a ka ndjerë ai ndonjë përpjekje të vërtetë për të lehtësuar dhimbjet e mëdha që shkaktoi pandemia, dhimbjet e mëdha me rritjen stratosferike të çmimeve. Përkundrazi, pandemia mori në këtë vend më shumë jetë në çdo vend tjetër të Europës dhe këta që janë pas shpinës time këndojnë sukses mbi vdekje. Përkundrazi çmimet janë rritur këtu më shumë se në çdo vend tjetër të Europës dhe zgjidhja e vetme është zgjidhja komuniste e bordeve të cilët iu pinë gjakun konsumatorëve shqiptarë. Në një kohë kur në çdo vend tjetër të lirë ka vetëm një zgjidhje, rriten çmimet, kompensohen qytetarët për rritjen e përmuajshme, indeksimi i çmimeve.
Si mund të pretendohet të zëvendësohen autoritetet ligjore, i konkurrencës, bordet rregullatorë që funksionojnë me ligj, me bordet vampirë që janë ngritur me vendim qeverie vetëm e vetëm për të pirë gjakun e shqiptarëve me çmime të larta. Si ka mundësi? A përfaqësoni ju qytetarët shqiptarë? Si ka mundësi të ngrihet ish-ministri i Bujqësisë dhe të thotë se fermerët po eksportojnë. E dini çfarë është eksportuar në Serbi? Plehrat kimike dhe helmet që s’i blejnë dot më fermerët shqiptarë, janë rieksportuar atje. (Përgjigje ndaj Taulant Ballës për ndërhyrjen: Duman mos më ndërpre fjalën, kaq të them, se i kam këtu unë ato). E dini ju që është rritur me 48% eksporti i prodhimeve bujqësore serbe këto 4 muaj? Ti që përfaqëson Korçën shko në Dvoran dhe shih sa kuaintal, tonelata mollë janë hedhur se vijnë mollët serbe këtu. Ju që flisni se janë rritur eksportet, shkoni në Myzeqe dhe pyesni sa fermerë kanë therur lopët e racës dhe çfarë drame është për një familje fermeri nëse ther lopët e racës. Pyesni pak serat, pronarët e serave që i kanë ngritur me djersën më të madhe, që po falimentojnë, por për ju ata nuk ekzistojnë, ata janë qenie vetëm për t’i vjedhur dhe për të ikur nga Shqipëria.
Prandaj jam këtu për t’i bërë thirrje shqiptarëve, të ngrihemi se siç kanë këta mungesë totale ndjeshmërie ndaj dhimbjeve, vuajtjeve, sakrificave tuaja, nuk mund të kemi ne mungesë ndjeshmërie ndaj këtyre akteve që kryejnë ndaj fëmijëve, grave, burrave, biznesmenëve, fermerëve, të sëmurëve, të shëndoshëve, studentëve dhe ndaj të gjithë shqiptarëve.
Tani keni nxjerrë një ligj tjetër dhe do e sillni në Parlament. Qesh kjo mbrapa, pavarësisht se vendi ka regjistruar 20 mijë viktima. Nuk qeshet zonjë, ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen po të kishe integritetin më minimal njerëzor, 5 herë duhet të kishe dorëheqjen dhe duhet të kishe shkuar te Dumanët, atje ku e ke vendin, sepse ke bërë tendera sekretë në kulmin e pandemisë. Mos më ndërpre se mund të t’i kthej një më një.
Çfarë do të bëni ju me bizneset? Do sillni këtu një ligj në të cilin të vetëpunësuarit, të punësuarit t’i shfrytëzoni, t’i rrjepni si të doni. Keni vendosur policinë më të egër. Duhet që të miratohet fatura që do të lëshojë ai në qendër pastaj ai të lëshojë faturën. Ku i gjeni këto rregulla ju? I gjeni vetëm në labirintet psiqike të një njeriu që ka kaluar çdo fazë normaliteti. Si ka mundësi që sillni në këtë mënyrë? Çfarë ju duken ju zgjedhësit tuaj? Pse nuk flisni njëherë për ta, por flisni vetëm për sukseset tuaja. Unë kam respekt për njeriun por nuk mund të respektoj unë kur shoh ministren me çanta të qëndisura me safir dhe sëarovski e diamante që të gjitha djersë dhe mund i qytetarëve, i fëmijëve, i grave dhe burrave. Jo, nuk kam nevojë. Unë respektoj ministret të cilat janë shërbëtore të përulura të qytetarëve shqiptarë. Janë nëna, gra, motra të cilat përulen para tyre por jo të kapardisen në luksin sikur je në sallat e Hollywood-it apo në sallonet e modës. Nuk ka vend për këto gjëra. Ndaj dhe njëherë, thirrja ime është kjo, nëse këta nuk kanë asnjë dhembshuri, të ngrihemi në protesta të fuqishme.