Mediat në Malin e Zi vazhdojnë që të shkruajnë për mafiozin turk, Binali Camgoz, i cili duket se ka shkaktuar trazira në klasën politike të vendit fqinj. Media malazeze “Vijesti” shkruan se ministri i Drejtësisë Andrej Miloviç pretendon se nuk e ka pasur për detyrë të konsultohet për rastin e Camgoz, edhe pse Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) e kishte përcaktuar mafiozin turk si person të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të Malit të Zi.
Shkrimi i plotë i medias malazeze “Vijesti”:
Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) përcaktoi se shtetasi turk Binali Camgoz përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të Malit të Zi, por ministri i Drejtësisë Andrej Miloviç pretendon se ai nuk duhej të konsultohej me këtë institucion, përpara se të merrte një vendim, sepse sipas tij, mendimi i ANB nuk luan një rol vendimtar në ekstradim.
Informacioni se shërbimi sekret ka dhënë një vlerësim të tillë i është komunikuar Vijestit nga disa burime jozyrtare dhe ANB nuk u përgjigjet pyetjeve zyrtare.
“Për vlerësimin e sigurisë së ANB-së, nuk ka asnjë detyrim sipas Ligjit për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale”,janë përgjigjur nga Departamenti i Miloviç.
Zyrtarët e ANB gjithashtu pretendojnë se as ministri i Drejtësisë dhe as ndonjë punonjës në dikasterin qeveritar nuk është kërcënuar gjatë procesit të vendimmarrjes për ekstradimin e Camgoz, por nuk flitet edhe për faktin nëse Milloviç ka biseduar për ekstradimin e mundshëm të shtetasit turk me ambasadorin e Turqisë në nëntor.
Kabineti i Miloviç njoftoi gjithashtu se ministri ka marrë një vendim politik.
“Me vendimin e ministrit, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë për ekstradimin e shtetasit turk Binali Camgoz, janë marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes që kanë të bëjnë me marrjen e vendimit”, u përgjigj kabineti i Miloviçit. Vijesti pyet nëse për mafiozin turk po merret një vendim për sa i përket akuzave penale të Camgoz apo çështja është kthyer politike.
Camgoz, i cili kërkohet nga autoritetet turke për krime të rënda, u arrestua më 6 korrik 2022 në Podgoricë dhe Policia njoftoi në atë kohë se ai kishte një pasaportë të falsifikuar me emrin Mehmet Ali Bayhan.
MAFIOZI TURK BINALI CAMGOZ
Edhe pse Gjykata e Lartë vendosi në prill të vitit 2023 se ishin plotësuar kushtet për ekstradimin e të akuzuarit për krime të rënda dhe vendimi u bë i formës së prerë më 1 qershor, ministri Miloviç refuzoi së fundmi të ekstradonte Camgozin, duke e arsyetuar vendimin e tij me dëmtimin e shëndetit të shtetasit turk, gjendjen e tij dhe faktin që i përket një tjetër nacionaliteti.
Një vendim politik
Ministria e Drejtësisë sqaron se gjykata e ekstradimit vlerëson plotësimin e kushteve formale për ekstradim brenda juridiksionit të saj dhe se në rast të një vendimi pozitiv nga gjykata, ministri merr një vendim, që e konsideron më të saktë.
“Duke qenë se Ligji për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale përcakton se fjalën përfundimtare për ekstradimin e jep ministri, vendimi i ministrit qoftë pozitiv apo negativ duhet të konsiderohet vendim politik, me të cilin ministri vendos nëse dikush do të ekstradohet ose jo”.
Duke iu përgjigjur pyetjes se për cilat arsye nuk ka pritur vendimin e mundshëm të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila vendosi se kërkesa e avokatëve të Camgoz ishte e parakohshme, MD tha: Për sa i përket kërkesës së avokatëve mbrojtës të Binali Camgoz dërguar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ata kërkuan dhënien e masës së përkohshme për ndalimin e ekstradimit, kërkesë e cila u vlerësua si e parakohshme, pasi ende nuk ishte marrë vendimi për ekstradimin nga ana e ministrit. Nëse do të lejohej ekstradimi, është logjike që fillimisht të bëhej kërkesa për dhënien e masës së përkohshme – ndalim ekstradimi dhe më pas kundërshtimi dhe shqyrtimi i vendimit për ekstradim.
ANDREJ MILOVIC
Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve nëse Milloviç është takuar me përfaqësues të ministrive të tjera në periudhën para vendimit, lidhur me rastin dhe as nëse ministri i Drejtësisë i ka propozuar MPB-së për deportimin e shtetasit turk.
“Duke qenë se është shteruar kompetenca e Ministrisë së Drejtësisë në procedurën e ekstradimit, ne nuk mund të deklarojmë për deportimin eventual të një personi, sepse kjo është kompetencë ekskluzive e Sektorit të Policisë Kufitare”, thanë ata.
Kush është Camgoz dhe kërcënimet e raportuara për ministrin shqiptar Marash Dukaj
Sipas mediave turke, shtetasi nga Turqia është drejtues i një grupi të organizuar kriminal dhe në dosjen e tij kriminale përfshihen krime të ndryshme – vrasje, plagosje, rrëmbim, ndalim, zhvatje dhe torturë të kryera në Izmir dhe rrethinat e tij. Në shtator 2022, qelia në të cilën ai qëndronte me pesë anëtarë të tjerë të grupit të organizuar kriminal të Klanit të Kavaçit u kontrollua në Burgun e Spuzit. Kjo u bë vetëm pak ditë pasi policia turke konstatoi se anëtarë të klanit kriminal Camgoza morën pjesë në vrasjen e liderit absolut të klanit Skaljar, Jovan Vukotiç. Camgoz u lirua së fundmi nga burgu i Spushës. Në Qendrën e pritjes për të huaj, ai ruhet nga disa policë, të cilët herë pas here me masa të forta sigurie, e çojnë për ekzaminim në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj është marrë në pyetje nga policia sekrete në fund të korrikut të vitit të kaluar, pasi dyshohej se një shtetas turk i akuzuar për krime të rënda e kishte kërcënuar përmes një anëtari të klanit kriminal të Kavacit. Kjo për shkak të premtimit të pambajtur ndaj miqve nga Kosova dhe Shqipëria, se do të pyesnin Ministrinë e Brendshme për mundësinë që Camgozit t’i jepej ligjërisht azil në Mal të Zi.
Pas intervistës në ANB, ai i tha policisë se kishte frikë nga Camgoz, sepse besonte se Indrit Kolleshi nga Tirana i kishte premtuar diçka në emër të tij, kriminelit turk. Kreu i dikasterit qeveritar për administratën publike nuk iu përgjigj pyetjeve se pse Camgoza u kujtua vetëm pas thirrjes së policisë sekrete, d.m.th pse nuk raportoi menjëherë pas bisedës me Koleshën se i ishte kërkuar mbështetje politike, për t’i ofruar mbrojtje shtetasit të akuzuar turk.
BURG I SIGURISE SE LARTE NE MALIN E ZI
“As ministri dhe as punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë nuk kanë marrë kërcënime në lidhje me këtë rast dhe nëse do të kishte ndodhur, e njëjta gjë do të ishte denoncuar në organet e përkatëse”, u përgjigj dikasteri qeveritar.
Miloviç pretendon se vendimin për të mos e ekstraduar Camgozin e ka marrë bazuar në fakte
Miloviç ka biseduar për rastin e Camgoz-it me ambasadorin turk Bariš Kalkavan, por pretendon se vendimin për të mos ekstraduar të akuzuarin tek ata, e ka marrë në bazë të tërësisë së fakteve. Ministria e Drejtësisë pretendon se janë plotësisht të përkushtuara për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, por se janë disa arsye pse refuzohet ekstradimi.
“Në rastin e vendimit për ekstradimin e Binali Camgoz, përcaktues ka qenë ekspertiza mjekësore, ku është treguar qartë – si nga institucionet malazeze, ashtu edhe nga institucionet shëndetësore turke, se ai po kalon gjendje të rënduar shëndetësore, ku personi i përmendur nuk është në gjendje të jetojë i pavarur në institucionin korrektues penal, dhe kjo për shkak të gjendjes së përmendur jashtëzakonisht të keqe shëndetësore, që nënkupton kujdes dhe mbikëqyrje të vazhdueshme”, thuhet në përgjigje.
Ata thanë gjithashtu se Turqia është vend mik i Malit të Zi.
“Turqia është aleati ynë i NATO-s dhe një partner shumë i rëndësishëm në shumë fusha dhe ne duam marrëdhëniet të mira me ta”, ishte përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë në Malin e Zi