Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, politikani veteran që ka shërbyer në postet më të larta shtetërore për 33 vjet, do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish ministrin properëndimor të ekonomisë Jakov Milatoviç, meqë asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për një fitore në zgjedhjet e së dielës.
Qendra për Monitorim dhe Hulumtim në Podgoricë, tha se sipas rezultateve paraprake presidenti aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka fituar numrin më të madh të votave, përkatësisht, 35.4 për qind.
Kandidati i Lëvizjes Qytetare “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, fitoi 29.3 për qind.
Kandidati i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Andrija Mandiç siguroi 19.1 për qind të votave
Katër kandidatët tjerë morën prej 10.9 deri 0.8 për qind të votave.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet pas 14 ditësh, me 2 prill, konkurrojnë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave.
Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.
Vendi i vogël buzë Adriatikut u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016 për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla./VOA