Ngjarja e Velipojës me dy të vrarë dhe një të plagosur ishte e paralajmëruar. Dy viktimat Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha dy muaj më parë ishin konfliktuar me vëllezërit Frroku, pronar të “Hotel Holiday” deri në nxjerrjen e armës, pas një debati mes kamerierit dhe kuzhinierit të këtij hoteli.
Zanafilla e ngjarjes është pikërisht sherri mes kuzhinierit Andrea Filipi dhe kamerierit Elsid Hoxha për orarin e ushqimit, ku gjatë konfliktit Andrea Filipi e ka goditur me grusht Hoxhën.
Në tentativë për të qetësuar gjakrat, babai i kuzhinierit Filipi ka ndërhyre duke i pajtuar të rinjtë, por më pas në mbështetje të Elsid Hoxhës ka mbërritur Ersild Ishmi, i cili kërkonte të sqaronte konfliktin me armë në brez.
Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë një nga pronarët e hotelit, Edmir Frroku, i cili në dëshminë para policisë, pas ngjarjes ka deklaruar: “Janë pajtuar, por Elsidi tha se është duke ardhur babai me motrën. Më pas erdhi një vajzë bionde dhe një djali i ri me tuta të shkurtra të bardha dhe një kanotiere me supe me ngjyre të bardhë dhe një tatuazh në krahun e majtë, ku dorën e djathtë e mbante në xhep ku pasi erdhi, e pyeti për Andrean. Unë i thashë ulu se jemi pajtuar, por ky i thoshte Andreas hajde tek rruga të flasim më pas në një moment e godet me grusht Andrean dhe i nxjerr pistoletën, ku pasi e pashë se nxori pistoletën jam hedhur për të ja hequr nga dora dhe gjatë përleshjes ai ka tentuar për ta ma marrë. Por unë e kam goditur në koke me qytën e pistoletës për ta ndaluar, pasi ishte i dhunshëm.”
Pas ngjarjes, policia arrestoi kamerierin Elsid Hoxha për “Moskallzimi krimit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit” dhe shpalli në kërkim Ersild Ishmin, i cili u kap pak ditë më vonë, për “Kanosje”, “armëmbajtje pa leje dhe “Moskallzimi krimit”.
Por pas ndalimit të Hoxhës dhe Ishmit, akuza, e përfaqësuar nga prokurori Albert Murcaj, pasi kërkoi fillimisht “arrest me burg me afat 30 ditor”, në seancën gjyqësore të zhvilluar e ndryshoi atë në “arrest në shtëpi”.
Më pas gjyqtarja Egla Mirashi miratoi masën e kërkuar nga Prokuroria.