Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim nga trupi gjykues i Apelit në Gjykatën Speciale.
“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.
Apeli konstatoi se Mustafa “kishte synim të drejtpërdrejtë për vrasje të paligjshme”, duke i dhënë të drejtë gjykatës së shkallës së parë se “personi i përmendur si viktima e vrasjes së paligjshme u vra midis 1 prillit 1999 dhe fundit të prillit 1999 si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të z. Mustafa dhe vartësve të tij të BIA-s”.