Gjatë një interviste për emisionin “Quo Vadis”, Presidenti Ilir Meta ka rrëfyer marrëdhënien e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e qeverisë, Edi Rama.Ai shprehet se marrëdhëniet me Berishën i ka shumë të mira, por në distancë.
Sipas kreut të shtetit, Berisha është një politikan me të cilin ka qejf të luftojë dhe të bashkëpunojë.
“Janë shumë të mira por në distancë pasi kam ende shumë kohë pa e takuar nga pranë. Kanë qenë të mira sepse Berishën ke dëshirë edhe të luftosh, edhe të bashkëpunosh pasi i di rregullat e lojës. Këtë vlerësim nuk ka njeri që nuk e di. Ai ka një raport të drejtë me interesin kombëtar. Baza e gjithë bashkëpunimit tim me këdo, është me popullin e 2 marsit, pluralizmit politik, popullin e dinjitetit. Ka shumë qytetarë që janë ende këtu.
I pyetur nëse e mbështet nismën e Berishës për rithemelimin e PD-së, Meta zgjodhi që të mbajë distancë, duke u shprehur se nuk është detyra e tij për të gjykuar.
“Nuk është detyra ime që të përkrah iniciativën e dikujt, apo të jem kundër saj. Jemi në një vend demokratik, secili ka të drejtë të bëjë atë që do. I takon demokratëve që të tregojnë një nivel tjetër të demokracisë, të bashkëjetesës demokratike. Unë mendoj që ata kanë ende kohë për këtë çështje” – tha Meta.
Ndër të tjera, Meta ka rrëfyer dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Rama.
“Marrëdhëniet e mia me Ramën janë shumë korrekte institucionalisht. Sot isha i qartë dhe konstruktiv. Djemtë e shoqatës së Ballkanit të Hapur janë të shqetësuar pse unë shkoj në Korçë, frymëzohem dhe recitoj një kryevepër që i takon një momenti historik, çeljes së shkollës së parë shqipe. E bëj me kënaqësi pasi babai ka qenë mësues letërsie, dhe kur isha fëmijë më kërkonte shumë që të lexoja. Ata i ka shqetësuar mesazhi i poezisë” – tha Rama.