Pas shoqërimit nga Drejtoria e Policisë për në burg Saimir Tahiri, është dërguar në një qeli i vetëm, në godinën 2 të burgut 313.
Procedura ligjore parashikon faktin që duhet që të verifikohen të gjithë personat që janë në burg me qëllim që të shmangin ndonjë problematikë për shkak se në qeli ka edhe të dënuar të cilët janë arrestuar në kohën kur Tahiri mbante postin e Ministrit të Brendshëm.
Burime thonë se Tahiri ka pasur me vete dy paketa cigare dhe disa rroba, të cilat ia kanë dërguar familjarët. Gjithashtu atij i është dërguar ushqim, për darkën, por që ai nuk kishte ngrënë asgjë. Po i njëjti burim nga burgu 313 thekson se Saimir Tahiri nuk ka folur asnjë fjalë dhe se nuk ka bërë asnjë kërkese, ai ka qëndruar i heshtur dhe të vetmet komunikime që ka patur kanë qenë me gardianët të cilët i ka përshëndetur, ku në dukje është shfaqur i shqetësuar dhe i tensionuar.
Ish-ministri do të qëndrojë në qelitë e burgut 313 për disa kohë dhe më pas mund të merret vendim që ai të dërgohet në një tjetër Institucion të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale.