BRUKSEL- Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka gjobitur Apple me 13 miliardë euro, pasi nuk ka paguar taksa në Irlandë prej 8 vitesh.
Komisioni i BE-së po ashtu akuzoi edhe Irlandën pasi i dha Apple avantazhe të paligjshme tatimore për të shmangur pagesat e taksave. Ndërsa qeveria irlandeze ka argumentuar vazhdimisht se nuk ishte e nevojshme për të paguar taksa.
“Gjykata e Drejtësisë jep vendimin përfundimtar për këtë çështje dhe konfirmon vendimin e Komisionit Evropian të vitit 2016: Irlanda i dha Apple ndihmë të paligjshme të cilën Dublinit i kërkohet ta rikuperojë”, thuhej në vendimin e GJED.
“Ky rast nuk ka qenë asnjëherë se sa taksë paguajmë, por se cilës qeveri duhet ta paguajmë. Ne gjithmonë paguajmë të gjitha taksat që i detyrohemi kudo që operojmë dhe asnjëherë nuk ka pasur një marrëveshje të veçantë. Apple është krenare që është një motor i rritjes dhe inovacionit në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, dhe që është vazhdimisht një nga taksapaguesit më të mëdhenj në botë”, tha një përfaqësues i Apple.
Vendimi do të thotë se GJED më në fund ka mbështetur vendimin e lëshuar nga Komisioni Evropian tetë vjet më parë pas një procesi të gjatë ligjor.
Vendimi mbulonte periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2014 dhe lidhej me mënyrën se si u trajtuan për qëllime tatimore fitimet e krijuara nga dy filialet e Apple me bazë në Irlandë.
Këto marrëveshje tatimore u konsideruan të paligjshme sepse kompanitë e tjera nuk ishin në gjendje të merrnin të njëjtat avantazhe.
“Komisioni Evropian po përpiqet të ndryshojë në mënyrë retroaktive rregullat dhe të injorojë se, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar i taksave, të ardhurat tona tashmë i nënshtroheshin taksave në SHBA. Jemi të zhgënjyer me vendimin e sotëm pasi më parë Gjykata e Përgjithshme shqyrtoi faktet dhe e anuloi kategorikisht këtë çështje”, shtoi Apple.
Vendimi origjinal u vendos në një kohë kur Komisioni po përpiqet të shtyp gjigantët ndërkombëtarë për të cilët beson se po përdornin marrëveshje financiare për të ulur taksat. Po ashtu edhe Google u gjobit me 4 miliardë euro.