Anëtarët e Komisioneve Parlamentare po zhvillojnë takime e vizita të shumta në Kosovë e Shqipëri, me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive në Elbasan.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi vlerësoi se ka një gatishmëri nga të dyja shtetet për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
“Ka një angazhim të madh, jo vetëm nga krerët e politikës por edhe nga administrata poshtë për t’i bërë realitet këto”, u shpreh ai.
Komisioni Parlamentar në Kosovë, së fundmi i ka dhënë dritën jeshile dy projektligjeve për marrëveshje me Shqipërinë, atij për sigurime shoqërore dhe për lehtësira doganore, ndërsa janë në procedurë shumë shpejt pritet edhe ratifikimi i tyre në Kuvend.
“S’ka rëndësi se ku je në Prishtinë apo Korcë, ke punuar shumë gjatë, do të njihen vitet e pensionit”, tha Minxhozi.
Marrëveshje të tjera që kanë gjetur zbatim apo që janë në proces dhe shumë shpejt do të nis zbatimi i tyre janë edhe ato për lehtësim për marrje leje për qëndrim të përkohshëm, ajo për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit, për hapjen e pikavge të reja kufitare Kosovë – Shqipëri dhe kalendari kulturor vjetor dhe ajo për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje civile dhe tregtare.