Shkroi: Jane Doe
Me një kalim të shpejtë në videot e RTSH-së në kanalin zyrtar në YouTube kuptohet qartë që në RTSH s’ka ndryshuar asgjë. Videot më të klikuara janë po ato të një mandati më parë. Mjafton të shkosh tek seksioni videos/ popular dhe dalin videot me numrin më të lartë të klikimeve. Nuk ka asnjë surprizë. Këngët e festivaleve të 1 viti apo 2 viteve më parë, cikli i dokumentarëve “Dosja gri”, video nga spektakli i vjetshëm “Kosherja”, “Si në familje”, “Pasditja ime”, seriali “Nina” (Prodhuar nga RTSH, nga Fondi i Prodhimit të Pavarur. Fati i FPP 2023 dhe 2024 nuk dihet).
Sikur faqja e YT të RTSH-së mos ishe hakeruar disa vjet më parë, aty do shihnit edhe shumë produkte televizive që kanë pasur një numër të lartë klikimesh, deri në 500K, 1 milionë e më lart. Edhe këto hyjnë tek ajo prodhimet e bëra pa bujë, në një kohë kur punohej me vepra, jo me PR bosh. Por këto janë legjenda urbane për El Mariachi-n tonë. Ai punon në të ardhmen, jo në të shkuarën.
U çmend Mariaçi. U ça duke bërtitur në faqet sociale që emisionet e tij po përmenden gjithandej nëpër media të tjera. Madje i bën edhe me rrethim me ngjyrë nëpër foto, për të gjithë ata që nuk dinë shkrim e këndim. Ore, ky popull nuk merr vesh po s’ia bëre me vizatime! Shikoni sa ndiqen emisionet e tij nëpër portalet që i lexon vetëm AI!
Habi në fakt, se pse emisioni i Pasdites “Gjurmë në kaltërsi”, me prezantuesen e famshme Greta Garbo nuk kap klikime. Kjo figurë enigmatike e ekranit përpiqet të sjellë gjithnjë një pasdite ndryshe për publikun. E veshur deri në grykë (megjithëse të gjithëve na duket e zhveshur), Greta sjell në panelet e saj diellore mjaft tema interesante dhe të ftuar “pikantë”. Në çomlekun e pasdites ka nga komedia në gossip, çifte, drama e deri tema sociale, të preferuarat e mia. Por ka dhe ekonomi, body building e rrëfime “të pazakonta” nga vipa që i kanë nxjerrë në Instagram 1 vit më parë. Autorët e këtij programi duhet ta dinë mirë sa vështirë është të kënaqësh një publik idiot.
Nëse e bëni MUTE dhe dëgjoni muzikë latine si Havana u na na në kufje, nuk do kuptoni asgjë, pasi titrat janë konceptuar enkas që të mos lexohen. Jo rastësisht! Publiku duhet të fokusohet tek skenografia alla “Shtëpia e shpirtrave”.
Një emision që më shkakton spazma po kaq serioze është dhe një “emision” në kinema, por jo për kinemanë. Një moderator që nuk duhet të shtrihet shumë në sedilje, se rrezikon mos duket, fton personazhe të ndryshme dhe bën shumë gallatë me ta. Ai vetë kënaqet pafund. Nuk kam kuptuar vetëm një fakt: pse djaloshi i ul të gjithë në kinema, kur i ftuari nuk ka lidhje me kinemanë? Një zonjë flet për ndërhyrjet estetike të vipave e ulur në një sallë kinemaje.
Pres që ndërhyrjen estetike të radhës ta bëjnë drejtpërdrejt nga aty. E shtrijmë të ftuarin në sedilje dhe i fusim një botox.
Spoiler: Ky program, që nuk ka asnjë lidhje me filmin, transmetohet në kanalin RTSH Film.
“Shihemi sonte – thotë Fatbardh Pikaloshi, në rrjetin zyrtar të RTSH-së, – super në FORM”.
Pasi të lodhet gishti duke bërë scroll te videot më të klikuara, aty diku te 70K të shkreta, prehet dhe videoja e fitueses së “Fest 62”. Shifrat flasin vetë. Por mos harrojmë që ky ishte padyshim festivali më i ndjekur nga ekrani i çdo peqinsi. #SËRISHEMADHE!
Në Eurovision 2024 do dalim të parët dhe edicioni i radhës i festivalit europian do mbahet në sallën e Orkestrës së RTSH-së, me prezencën e jashtëzakonshme të fantazmës së Bethovenit, piktor barok.
Publiku i ftuar do jetë vetëm Presidenti i Republikës.
Prezanton festivalin: Fërd Peza. Këndon: Fërd Peza. Skenari: Fërd Peza. Skenografia: Fërd Peza. Grafikat e vjedhura por lupat origjinale: Fërd Peza. Çmimi i parë Eurosong 2024: Fërd Peza.
Post Scriptum: Kamarier, edhe një abetare të lutem për atë vajzën që flet me Zotin, ndjesë… Motin. Mos i jepni shumë fjalë të përngjitura me dy bashkëtingëllore resht, se na mbyti shiu.
Vijon…