Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, i cili dyshohet se është autori i atentatit ndaj Alban Bruçit mbrëmjen e 25 gushtit në Shkodër, është shprehur se i biri është i pafajshëm.
“Ditën e krimit im bir ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë, është i pafajshëm”, u shpreh ai.
58 vjeçari mohon se djali i tij është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.
“Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut njëkohë që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prap më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time njëkohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prap në banesën time njëkohë që familja jonë e ka patur një lloj njohje me familjen e tyre.
Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë. Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera.
Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet, është shprehur Ismet Çekorja.” -shprehet ai.
Kujtojmë se Alban Bruçi u qëllua me 19 plumba më 25 gusht në Shkodër, por arriti që të shpëtojë pa u plagosur. 25 vjeçari shkoi vetë në polici dhe bëri një kallëzim për këtë atentat për të cilin policia ka shpallur në kërkim shtetasin Bajram Çekorja dhe një person tjetër.