Korçë- Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.
Një 35-vjeçar nga Lezha, i cili prodhonte mina me telekomandë është arrestuar nga policia e Korçës.
Pas një pune hetimore disajavore u arrestua në flagrancë P. C., 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.
Ka shkuar në dy numri i të ndaluarve dhe në 6 i minave të sekuestruara, gjatë të dy fazave të operacionit “Remote”, ku faza e parë e tij u finalizua 6 muaj më parë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.