Modric ishte njeriu kryesor i festës në dhomat e zhveshjes së Real Madridit, pas kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Kroati kishte vënë më herët edhe një “bast”: “Nëse mposhtim PSG-në, fitojmë Ligën e Kampionëve”. Fraza është, sipas “El Partidazo de COPE”, e Luka Modric një ditë para ndeshjes së dytë të Real Madridit kundër PSG-së.
Të mërkurën e kaluar, pasi Real Madridi eliminoi PSG-në, në “El Partidazo de COPE” analizuan triumfin e “Los Blancos” dhe të ardhmen e skuadrës së Ancelottit në Champions League. Kur ishte radha e Poli Rincon, ai tha: “E kam thënë në këtë program: nëse Real Madridi e kalon këtë raund, e konsideroj tashmë fitues të Champions-it. Mos kini asnjë dyshim”.
Menjëherë më pas, Paco González shtoi: “Atë frazë që thua ti, Poli, ia tha dje Modric një mikut tim: Nëse mposhtim PSG-në, fitojmë Champions League”. Modric ishte një nga protagonistët e mëdhenj të lojës dhe ndoshta lojtari i dytë më i mirë i Real Madridit, pas Karim Benzema.