Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm doli me një reagim të fortë. Ai i kërkoi Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç që të lirojë tre policët e Kosovës ose në të kundërt kjo do jetë java e rikthimit të akullit në raportet me Tiranës dhe Beogradit.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen” tha ai.
Më pas, Rama kaloi sërish në sulm kundër Albin Kurtit duke i kërkuar që të ulë tensionet dhe të dëgjojë SHBA-në e BE-në.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar!
Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës!
Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon” shkruan Rama.