Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën e krijuar ditën e djeshme në protestën tek zona e “5 majit” në Tiranë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, në një prononcim për mediat, Rama deklaroi se banorëve u është dhënë mundësia për kompensimin e pronës së tyre.
Kreu i qeverisë u shprehet me nota të ashpra se askush nuk mund të marrë peng zhvillimin e këtij vendi. Ai thotë se sa herë që dikush tenton ta bëjë, banorët do të shoqërohen në polici.
“Të gjithë banorëve u është dhënë qartësisht drejtim dhe kanë mundësi të përfitojnë të drejta që i meritojnë. Zhvillimi i këtij vendi nuk merret peng nga askush. Sa herë të ketë banorë që do të bëjnë këtë, do të shoqërohen në polici. Do të ketë të njëjta aksione. Opinionet e banorëve u kam dëgjuar me dhjetra herë. A janë këta banorë të hedhur në rrugë të madhe, apo janë secili me një mundësi tjetër siç i takon. Këtë verifikojeni, unë them se kjo është e dyta. Ne do rindërtojmë për të gjithë të pastrehët e mbetur nga tërmeti. Askush nuk i imponohet një shteti. Bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme, dhe pavarësisht kësaj, atyre u është ofruar kompensim. Në demokraci, të gjithë duhet të kenë të drejtën për t’u dëgjuar, por nëse dëgjohen të gjithë, atëherë nuk marrim kurrë asnjë vendim” – tha Rama.