Aksioni i RENEA-s mbrëmjen e kaluar ka vënë në pranga disa persona për lojëra fati të paligjshme në qytetin e Lezhës.
Burime bëjnë me dije se në fshatin Shënkollë u shoqëruan të paktën 5 persona.
Forcat RENEA kanë qenë në disa qytete për vendosjen para drejtësisë personave në kërkim, me rrezikshmëri të lartë por dhe armëmbajtje pa leje.
Dy furgona me forca të ardhura nga Tirana po bënin kontrolle nëpër kryqëzime rrugësh, por dhe nëpër lagje apo blloqe pallatesh ku mendohet se qëndrojnë persona të tillë. Aksioni u zhvillua në Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë.
Kjo vjen pas ngjarjeve që kanë ndodhur së fundmi.
Dy ditë më parë, 36-vjeçari Diego Hanaj mbeti i plagosur me armë zjarri në lagjen “Pavarësia”, pas konfliktit që ndodhi në afërsi të një marketi.
Ndërsa dje, u gjet një makinë e djegur tip “Audi Q7” në një zonë të thellë në fshatin Trevllazër që dyshohet se i përket autorëve.
36-vjeçari Hanaj ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet pranë banesës së tij. Pasi ka dalë nga lokali po shkonte tek hyrja e pallatit pranë banesës së tij dhe është shtënë ndaj tij nga një makinë në lëvizje.
Diego Hanaj mori një plumb në dorë ka lëvizur për rreth 50 metra ndërkohë duke u ndjekur nga autorët dhe qëlluar me armë automatike ndaj tij, por për fat plumbat nuk e kanë prekur, veçse një plumb në momentin e parë.
Ndërsa katër ditë më parë, u plagos në Shkodër Viçens Piroli, i cili ishte shpallur në kërkim për një vrasje në Mal të Zi.
Së bashku me një person tjetër ata akuzohen se kanë vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiç në korrik të vitit që lamë pas. Gjurishiç u qëllua në Ulqin në lokalin e tij më 4 korrik të 2021, ndërsa pista kryesore është ajo e gjakmarrjes, e cila lidhet me një vrasje në 2017, e cila rëndon mbi djalin e 68-vjeçarit që u dyshohet se u vra nga dy shqiptarët.
Savo Gjurishiç, djali i 68-vjeçarit kishte vrarë me armë zjarri 53-vjeçarin nga Kosova Beqë Likaj. Ai është dënuar në tetor 2018 me 13 vjet e gjysmë burg. Asokohe policia malazeze, dyshonte se dy të rinjtë kanë kaluar ilegalisht kufirin, kanë kryer vrasjen e me pas janë rikthyer serish në Shqipëri.