Një sulm kibernetik goditi faqet e agjensive qeveritare ukrainase dhe të bankave kryesore të martën, njoftuan autoritetet ukrainase.
Të paktën 10 faqe ukrainase ishin të paarritshme për shkak të sulmeve, duke përfshirë faqet e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe dy nga bankat më të mëdha shtetërore të Ukrainës.
“Nuk ka rrezik për fondet e depozituara”, tha në një deklaratë Qendra për Komunikimet Strategjike, e Ministrisë ukrainase të Informacionit.
Zëvendësministri Victor Zhora konfirmoi sulmin kibernetik duke thënë se ekipet e reagimit emergjent po punonin për të ndalur sulmuesit dhe për të rikuperuar shërbimet.
Klientët në bankën më të madhe shtetërore të Ukrainës, Privatbank dhe Sberbank raportuan probleme me pagesat në internet dhe aplikacionet e bankave.
Ministria sugjeroi se Rusia mund të fshihet pas këtij incidenti, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Është e mundur që agresori të ketë përdorur taktika të vogla keqbërjeje, për shkak se planet e tij agresive nuk po funksionojnë”, thuhet në deklaratë.