Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm është shkarkuar përgjegjësja e sektorit të sportel-kadastrës Albana Gjoni, e cila kishte dhe të drejtën e nënshkrimit të çdo dokumenti dhe akti administrativ të këtij sektori, si dhe të nënshkrimit elektronik.
Në mungesë dhe të drejtorit të Kadastrës R. Xhaja, gjatë dy ditëve të fundit, qytetarët sot nuk kanë mundur të marrin shërbime të ndryshme, si regjistrim të lejeve të legalizimit, kontratave të shitjes etj., apo dhe vetëm informacion, kthim përgjigje nga Kadastra e Durrësit.
Kjo kadastër është gjetur me shkelje të mëdha dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka kërkuar masa disiplinore për personelin e saj. Tre ditë më parë, Manja deklaroi se i ka propozuar Drejtorisë Shtetërore të Kadastrës, shkrirjen e Agjencisë së Kadastrës Durrës.
“Pra praktikisht, ne i kemi referuar Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shkrirjen e kësaj drejtorie. Nga drejtori i ASHK-së Durrës, tek përgjegjësi i sektorit të hartografisë, specialist i hartimit të hartografisë, përgjegjësi i sektorit të kalimit të pronësisë dhe dhjetë specialistë të kësaj drejtorie. Janë 215 dosje legalizime objektesh që janë marrë në shqyrtim nga inspektorët tanë vetëm për periudhën gusht-tetor 2021, ku ka rezultuar se këto dosje mungonin dokumentacionet që kërkon ligji. Një praktikë pune abuzive dhe fiktive pa vetëdeklarime, pa akte evidentimi në terren, pa kartela të pasurisë apo statusit juridik të pronës, pa harta tregues dhe një sërë shkeljesh të tjera”, tha ai.