Shtyhen për muajin prill zgjedhjet në veri të Kosovës. Lajmin e njoftoi presidentja Osmani pas takimit me partitë politike. Data e saktë do të bëhet publike nesër.
Osmani tha se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.
Ajo ka shtuar se kishte kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por thotë se BE-ja i kishte bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishin mundësi të marrin pjesë.
“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.
Ndërkohë që tensionohet situata në veri. Në Rudarë, afër Zveçanit, tek vendi i njohur si “kryqi”, janë mbledhur serbët lokalë. Aty janë parë edhe burra të maskuar. REL-i mëson se mes atyre që janë thirrur të dalin në rrugë janë edhe punëtorët e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësis. Në Rudarë janë vendosur katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës.
Bllokimi i rrugëve vjen pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç. Arsyeja e arrestimit të tij ende nuk dihet. Policia e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç ka deklaruar se ka njoftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Petkoviç tha se do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që “të ndërpritet menjëherë hakmarrja ndaj serbëve”.