Vizita e fundit e Erdoganit në Tiranë nuk do të mbahet mend vetëm për faktin se sheshi Skëndërbej u duk për pak orë sikur ishte sheshi Taksim në Stamboll, i mbushur me flamuj turq dhe banderola për ndër të presidenti autokrat. Ai nuk qe vetëm simboli i një vasaliteti të pështirë, ku përgjatë ceremonisë së përfundimit të punimeve të xhamisë së Et’hem Beut, u përjashtua me urdhër të sulltanit i gjithë komuniteti musliman shqiptar.
Ajo për të cilën u fol më pak, por që në fakt është më skandalozja është nënshtrimi i qeverisë shqiptare ndaj kërkesave të përsëritura turke për të luftuar gylenistët (organizatën FETO siç e quan Erdogan) për të mbyllur shkollat e tyre dhe për të ekstraduar mbështetësit e imamit të cilin islamo konservatorët e akuzojnë pa prova të besueshme ndërkombëtarisht për organizimin e grushtit të shtetit të korrikut 2016.
Lexo me tej:
Andi Bushati:Me poture ulur nderojmë sulltanin
Gjatë gjithë kësaj periudhe Tirana zyrtare ka ardhur duke u dorëzuar gjithnjë e më shumë. Lapsi.al ka siguruar dëshmi të sigurta që kolegjeve turke në vend po i bëhet një presion i fortë, madje i bashkërenduar nga drejtoritë e ministrisë së financave, nga policia dhe prokuroria, në mënyrë që ata ti dorzojnë bizneset e tyre. Kryetarit të komunitetit Musliman, Bujar Spahiu po i tregohet edhe shkopi edhe karrota për të gjetur një rugdalje nga posti që mbën. Kulmi i përdhunimit të shtetit ligjor në Shqipëri arriti në janarin e dy viteve më parë kur shteti shqiptar i rrefuzoi kërkesën për azil politik gylenistit, Harun Çelik, madje mediat turke njoftuan plot triumf në vendin e tyre se ai ishte rëmbyer në Tiranë nga shërbimi sekret turk, MIT.
Por të gjitha këto me sa duket janë harruar dhe gjatë vizitës së fundit në Tiranë Erdogan e ka shtuar presionin. Para deputetëve shqiptarë, duke iu referuar gylenistëve ai tha se “ky grup ende ruan praninë në Shqipëri në sektorin e arsimit, shëndetësisë, organeve fetare dhe sektorin privat”. Ai shtoi se kjo organizatë, sikurse për Turqinë, përbën rrezik ehde për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
“Ndërsa ka kaq shumë çështje mes nesh për të biseduar, diskutuar dhe ndërmarrë hapa drejt së ardhmes së bashku, neve na vjen keq që humbim kohë me një çështje të këtillë. Shpresojmë që në takimin tonë të radhës këtë çështje ta largojmë nga agjenda jonë”-shtoi Erdogan.
Ky apel në formë shantazhi gjeti pasqyrim në faqet e para të gazetave si “Hurriyet” apo “Haberturk” të cilat u mbushën me thirrjet e forta të Erdogan, gati në formë ultimative ndaj qeverisë shqiptare se ai pret që në vizitën e tij të ardhshme “të ketë marrë fund problemi i gylenistëve”, të këtyre “terroristëve që i kanë duart me gjak”.
Por ndërsa qëndrimi zyrtar i ankarasë nuk përbën më lajm shqetësues është fakti se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë e kërrus shpinën Edi Rama ndaj ultimatumeve të vëllaut të tij. Dhe për të vërtetuar këtë mjafton vetëm një fakt. Kur në tetor të 2018, ministri i jashtëm Mevlud Çavushoglu, i kërkoi në Tiranë homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati ekstradimin e gylenistëve, qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte i prerë. Ai i tha sy më sy përballë gazetarëve shefit të diplomacisë turke se shteti shqiptar është laik dhe do qe absurde që ai të të përfshihej në çështje fetare. “Aq më pak në to mund të përfshihet një vend i huaj” këmbënguli ai (shiko videon këtu).
Nuk kaluan as dy muaj dhe Rama e largoi Bushatin nga detyra. Që atëhere askush nuk ka guxuar më ti përgjigjet publikisht kërkesave gjithnjë e më të forta të Ankarasë që nënpërkëmbin sovranitetin dhe laicitetin e vendit tonë. Dhe kjo është prova më e qartë e nënshtrimit gjithnjë e më të madh të qeverisë së Edi Ramës ndaj kërkesave absurde të Erdoganit, që i shpërfill çdo shtet me vokacion perendimor.