Vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga tre ditë më parë nga 29-vjeçari Denis Meçe, nipi i një njeriu me “pushtet rilindasi” në Pogradec si Valter Gora, duket se po shkon nga skandali në skandal.
Pasi, fillimisht ishte Policia e Pogradecit ajo e cila tentoi të fshihte krimin, tashmë bëma e radhës vjen nga drejtësia e reformuar.
Pas arrestimit, autoritetet policore e referuan dosjen ndaj Denis Meçes në Prokurori nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Por, pas 40 orësh Prokuroria e Korçës ka zbutur akuzën 29-vjeçarit, pasi depozitoi dosjen në Gjykatë për rivlerësimin e masave të sigurisë për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose maksimumi me burgim deri në 5 vjet.
Pra, prokurori i çështjes e ka cilësuar si një vrasje nga pakujdesia, rrahjen brutale që Denis Meçe i bëri babait të dy fëmijëve Egli Proga, duke e lënë të vdekur. “Afërmendsh, këtë masë sigurie e ka konfirmuar mesditën e sotme edhe Gjykata e Korçës duke e lënë 29-vjeçarin në “Arrest me burg”.