Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja e statutit të Partisë Demokratike të shqyrtohet nga relatorja Irida Kacerja. Pas rihedhjes së shortit do të jetë Kacerja ajo që do të vendosë nëse PD do të vijojë të drejtohet nga ish-kryeministri Sali Bersha apo jo, duke i marrë çështjen Genti Shalës, që ishte përcaktuar në shortin e mëparshëm së bashku me gjyqtaret Edlira Petri dhe Elona Toro.
“Duke marrë parasysh interesimin e shtuar të mediave, shtypit të shkruar dhe atij on line, si edhe në përgjithësi opinionit publik, jeni informuar se : Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u shqyrtua kërkesa me Nr. 214 Akti, datë 13.12.2021, me kërkuese: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi; me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, e gjykuar nga gjyqtare znj. Blerina Muça, për të cilën kjo gjykatë ka dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022 dhe ka vendosur: “1. Pranimin e kerkeses se pales kerkuese Partia Domokratike e Shqiperise. 2. Depozitimin e satutit dhe vendimeve te dala nga Kuvendi Kombetar i Partise Demokartike te Shqiperise e dates 17.07.2021. 3. Kunder ketij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.” Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Në datën 12.04.2022, është dërguar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm dhe në bazë të shortit elektronik relator i cështjes, është caktuar gjyqtar Genti Shala. Në bazë të shortit elektronik dosja e mësipërme gjyqësore i ka rënë për gjykim gjyqtares relatore Irida Kacerja. Më herët Gjykata e Apelit Tiranë njoftoi vendimet e Këshillit nr. 7 dhe nr. 8“, thuhet në njoftim.
- Prej 25 marsit kur gjyqtari Agron Zhukri më datë 25 mars regjistroi ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, Komisioni i Rithemelimit drejton selinë blu, ndërkohë që në gjykatë vijon të jetë pa një vendim kërkesa e Alibeajt për të regjistruar Kuvendin e PD në 18 dhjetor dhe gjithashtu ankimimi për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që njohu si legjitim Kuvendin e PD në 11 dhjetor.