Reagimet për përplasjen mes presidentit të FSHF Armand Dukës dhe kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliajt kanë qenë të shumta. “Politika t’i mbajë duart larg futbollit”, ka deklaruara anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Vasil Bici i cili me anë të një interviste për Fax NeWs i ka quajtur sulmet ndaj Dukës si një përpjekje nga politika për të marrë nën kontroll të gjithë futbollin.
Ai tha ndër të tjera se Duka gëzonte gjithë mbështetjen e komunitetit të futbollit shqiptar dhe se kishte gjasa që të fitonte edhe një tjetër mandat nëse do të rikandidonte për postin e Presidentit të FSHF.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Vasil Bici intervistë për Fax News:
Bici: Kjo është diçka e turpshme dhe politika ka gisht në këtë gjë. Ashtu si para 4 vitesh me të ndjerin Bashkim Fino, kërkojnë të fusin hundët në çështjen e futbollit. Unë do bëja një thirrje ku do i kërkoja politikës t’i mbajë duart larg futbollit.
Të gjitha na i kanë marrë edhe tashmë siç mos shkatërrojnë Tiranën kërkojnë të shkatërrojnë edhe këtë fushë.
Pyetje: A ka ndodhur ndonjëherë të ketë polemika dhe akuza si këtë rast?
Bici: Unë them që burracakët merren me kërcënime dhe kërkojnë të terrorizojnë njerëzit. Mendoj se janë flakë kashte, burracaku bën veprime të tilla, trimi vjen e të vret nuk ka nevojë të hedhë tymuese në shtëpi. Unë them që Duka do ketë mbështetjen e komunitetit të futbolllit dhe do të vazhdojë të jetë edhe për një mandat tjetër në krye të FSHF.