DURRËS – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku është denoncuar pengmarrja e një gruaje 27-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.
Raportohet se autori i dyshuar i kësaj pengmarrje është Marjus Musaku, 32-vjeç nga Lushnja. Ai akuzohet se mbajti me forcë për disa ditë në një banesë në zonën e ish-Kënetës në Durrës gruan 27-vjeçare.
Marjuas Musaku ishte dënuar edhe më parë për pengmarrje. Në vitin 2018 mori peng ish-gruan për 24 orë, ndërsa pas denoncimit të babait të ish-gruas, u arrestua. Gjithçka ndodhi pas konflikteve që solli edhe divorcin. Gjatë kohës që ishin të martuar, ish gruaja e ka denoncuar për dhunë dhe torturë fizike.
Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Megjithatë 32-vjeçari nuk e ka pranuar rrëmbimin dhe ka deklaruar se nuk e ka marrë forcërisht.
32-vjeçari Marjus Musaku, banues në Lushnjë, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, ndërsa ishte i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.