TIRANË– Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, pasi akuzohet tjetërsimin e pronave në Himarë, në favor të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka. Ndaj Goros rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim, ndërsa qëndron pas hekuave që në muajin Mars të këtij viti.
Hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, përcollën pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, i ati i Stavri Mëhillit.
Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues Artan Gaçin. Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mijë m2.
Lidhur me këtë çështje kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj u la në masën “detyrim paraqitje”, ndërsa ish juristi Vezir Gjikoka si dhe ish drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës në Bashkinë Himarë në “arrest në shtëpie”.
Nga ana tjetër, Stavri Mëhilli pronari i tokës, që dyshohet se ka kryer 2 vepra penale, lënë në “arrest me burg”, në mungesë, për shkak se nuk është gjetur për tu arrestuar.