Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi se ka dhënë urdhër për të rrëmuar në internet dhe për të gjetur se kush ka keqinformuar për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.
Meqë në media u raportua gjerësisht versioni se policia e Pogradecit tentoi ta manipulojë vrasjen e 42-vjeçarit në Pogradec si aksident dhe jo si vrasje, Rrumbullaku përdori togfjalëshin “baltosje” dhe e quajti një akt të dënueshëm ligjërisht.
“Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme. Por baltosja e saj si në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, po është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, sepse cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantit të rendit publik” tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse ka identifikuar personat që kanë keqinformuar, Rrumbullaku pranoi se zyra e marrëdhënieve me publikun po kërkon në internet për të gjetur se kush e ka shkruar versionin e fshehjes së vrasjes dhe më pas policia do të përgatisë ndjekjen penale.
“Drejtoria e marrëdhënieve me median në policinë e shtetit dhe departamentet respektive që merren me ndjekjen penale po hulumtojnë rrjetet sociale dhe po përgatisin kallëzimin penal në lidhje me çdo individ dhe çdo rrjet social në raport me këtë disinformim të qëllimtë” tha Rrumbullaku.
Mbetet e paqartë se çfarë akuze mund të ngrejë policia për dikë që shkruan në rrjetet sociale apo në media se ngjarja e Egli Progës u mbajt e fshehtë nga Komisariati i Progradecit.