Aktori i famshëm francez, Gerard Depardieu, ka qenë një nga personazhet e njohur perëndimor më të afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë dekadës së fundit.
Madje edhe kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës po rriteshin këto muajt e fundit, aktori i famshëm u shfaq në një televizion francez duke thënë: “Lëreni Vladimirin të qetë”.
Por duket se tani gjërat kanë ndryshuar, pasi Depardieu ka ndërmarrë një hap befasues drejt prishjes së asaj miqësie të dashur. Gjatë një interviste me “Agence France-Presse”, ylli i kinemasë ka denoncuar luftën në Ukrainë.
“Rusia dhe Ukraina kanë qenë gjithmonë vende vëllezër”, tha Depardieu, duke shtuar: “Unë jam kundër kësaj lufte vëllavrasëse. Unë them ‘lini armët dhe negocioni’”.
Por pavarësisht këtyre komenteve, opinioni i ukrainasve për aktorin e famshëm, ka gjasa të mos ndryshojnë. Në vitin 2015, qeveria ukrainase e përfshiu Depardieu në një listë figurash kulturore që përbënin kërcënim për sigurinë e vendit.
Madje mediat ukrainase e lidhën vendimin me komentet që Depardieu kishte bërë duke vënë në dyshim pavarësinë e Ukrainës. Në vitin 2014, në festivalin e filmit Baltic Pearl në Letoni, Depardieu u tha gazetarëve se ai e donte Rusinë dhe “Ukrainën, e cila është pjesë e Rusisë”.