Ismail Zeneli është 50-vjeçari kuksian i ekstraduar nga Spanja drejt vendit tonë.
Zeneli akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pjesëmarrje ne tij në grupin e strukturuar kriminal të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës, grup i cili u “shkatërrua” nga SPAK.
Arrestimi i tij u bë nga autoritetet spanjolle më 2 dhjetor 2023 për llogari të drejtësisë shqiptare.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kush është Ismail Zeneli
Zeneli nuk akuzohet vetëm për trafik droge, por edhe si personi që donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ai kishte pajtuar Bujar Gërmizin për eliminimin e tyre. Ata kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin, i arrestuar gjithashtu nga operacioni i SPAK, për të kryer vrasjen e 2 vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Ndërsa, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, e cila po ashtu ra në prangat e Policisë mësohet se gjatë kohës kur punonte në “Interpol” u ka dhënë informacione nga sistemi për dy objektivat që jetonin në Angli.
Deri më tani dyshohet se plani për vrasjen e dy vëllezërve ishte bërë pas konfliktieve për pazaret e drogës.
Sipas dosjes hetimore, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën. Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë të gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve.
Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin, djalin e Erzen Breçanit./