Të burgosurit rusë të luftës janë shprehur se nuk e kishin idenë se ishin dërguar në luftë në Ukrainë dhe “do të sulmonin njerëzit që mbronin territorin e tyre”. Faqja e shërbimeve të sigurisë të Ukrainës në “Facebook” ka publikuar një video ku shfaqen këta ushtarë që thonë “na dërguan si ushqim topi” dhe paralajmëruan “ne po vrasim njerëz paqësorë”.
Pamjet e tjera tregojnë një ushtar rus të prangosur dhe teksa qan për vdekjet e shkaktuara dhe shkatërrimin e vendit nga lufta, shprehet: “Ata nuk marrin as kufomat, nuk ka funerale”.
Ndërsa një tjetër ushtar i kërkoi Kievit dhe Moskës që të evakuonin fëmijët nga zona e luftës, dhe tjetri shton: “Askush nuk dëshiron luftë”.
Kjo vjen pasi një ushtar rus dyshohet se i dërgoi mesazhe nënës së tij duke i thënë: “Gjithçka që dua është të vras veten”, gjashtë ditë pasi Moska urdhëroi forcat e saj të hynin në Ukrainë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, paralajmëroi sot se Rusia po përpiqet të fshijë Ukrainën, ndërsa Moska filloi me sulme në të gjitha frontet.