Një ditë më parë u arrestuan 45 persona të një organizate kriminale shqiptare që ‘furnizonte’ vendet e Europës me kokainë.
Rrjeti kishte krijuar një varg ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet duke përdorur shpesh para “Cash” për të transferuar biznese dhe prona. Anëtarët e grupit udhëtuan rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi, duke organizuar biznesin e tyre të paligjshëm dhe duke përdorur mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet.
Operacioni i mbështetur nga Europol dhe Eurojust bëri gjithashtu 80 kontrolle në Belgjikë dhe Spanjë dhe mes të arrestuarve ishin “një numër objektivash me vlerë të lartë në botën e krimit”.
Të dyshuarit akuzohen se kanë trafikuar kokainë nga Amerika Latine në porte të ndryshme evropiane, duke e transportuar atë me mjete të ndryshme, duke përfshirë avionë, anije, makina dhe kamionë.
Sapo droga arriti në destinacionet e tyre, të dyshuarit u përfshinë më tej në tregtinë me shumicë dhe pastronin të ardhurat në Spanjë dhe disa vende të tjera evropiane.
Më shumë se 600 oficerë policie, prokurorë dhe hetues punuan për çmontimin e grupit të krimit të organizuar në Spanjë dhe Belgjikë, ndërsa disa aksione u zhvilluan edhe në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë. Byroja Federale e Hetimit të SHBA-së e mbështeti operacionin.
Një ekip i përbashkët hetimor u krijua midis Belgjikës dhe Spanjës në vitin 2021, por hetimi në Spanjë filloi në vitin 2018, me arrestimin e një anëtari të rangut të lartë të grupit. Në Belgjikë, hetuesit filluan të punojnë për rastin në shtator 2020, pasi policia sekuestroi sasi të mëdha droge dhe kimikatesh të përdorura për të transformuar dhe ruajtur kokainën në mënyrë që të tregtohej.