Mësohen të reja të tjera nga grupi hetimor në lidhje me megaoperacionin e koduar “Syri”, ku u sekuestruan rreth 1 ton kanabis dhe u arrestuan 3 shqiptarët Arbër Saraseli, Saverjo Imeraj, Qemal Pekmezi dhe dy ukrainas, ndërsa është shpallur në kërkim Gregor Likaj nga Vlora. Gjithashtu, u vunë në pranga nga Guardia di Finanza, 2 drejtuesit e mjetit lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se grupi që u godit dje ishte nën hetim nga Policia e Vlorës, prej gati një viti. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet kane çuar në një tjetër grup kriminal që vepron në Vlorë dhe në Fier në koordinim me grupin e arrestuar në Vlorë dhe personin e shpallur në kërkim si kreu i grupit kriminal.
Policia e Vlorës në koordimin me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po punojnë për dokumentimin e veprimtarisë dhe të grupit tjetër kriminal.
Ndërkohë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë bashkëpunimin me GDF dhe agjencitë ligjzbatuese italiane për të grumbulluar materialin hetimor për këtë rast.
Nga Policia e Vlorës u sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe) dhe 2 automjete, ndërsa nga GDF u sekuestrua mjeti lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike.
Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.