Banorët e zonës së “5 Majit”, Paskuqanit dhe të Laprakës kanë zhvendosur ditën e sotme protestën për prishjen e banesave të tyre pranë zyrave të ARRSH, duke kërkuar përgjigje nga ky institucion.
Nga ana tjetër, punonjësi i ARRSH sqaroi banorët duke i siguruar se nuk do të ketë asnjë veprim për prishjen e banesave deri në trajtimin e plotë të tyre.
“Asnjë objekt nuk do të cenohet deri në trajtimin e çdo pronari. Kjo është e sigurt. Nëse firmat sot janë në terren janë në terren sepse është kantier ndërtimi. Nuk ka për ti cenuar prona derisa ju të trajtoheni sipas ligjit. Do merren të gjitha masat. Unë në këtë zyrë kam për detyrë tju sqaroj për ligjin e shpronësimeve. Për të tjera bëni përgjigje me shkrim dhe unë do t’jua përcjell”, tha punonjësi i ARRSH.
Banorët paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestat e tyre, deri në grevë urie para Kuvendit, ose poshtë banesave të tyre, nëse nuk marrin një zgjidhje që përmbush kërkesat e tyre.