“Më futi në magazinë, më qëlloi disa herë me shpulla dhe grushte, më vendosi thikën e bukës në pëllëmbën e dorës, duke më shkaktuar gërvishtje rreth 05 mm dhe më kërcënoi: ‘Nëse nuk e pranon vjedhjen dhe nëse s’më tregon personin që të orientoi për të vjedhur, do ta ngul thikën’”.
Ky është rrëfimi i një të riu me inicialet R.F., i cili është një i dyshuar për vjedhje, që u hetua në mënyrën më të çuditshme nga një shtetas, të cilit iu boshatisën të ardhurat dhe që këmbëngul se nuk është ai personi që i vodhi shtëpinë.
Policia i tha Gazetasi.al, se për këtë arsye i vendosi prangat E.H., për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë, ndonëse ai këmbëngul se u vu në kërkim të hajdutit, pasi donte të zbulonte të vërtetën sa më shpejt. Së bashku me të riun e arrestuar, si “polic nga halli”, pasi u përpoq të gjejë se kush e vodhi banesën e vjehrrit të tij, u kap po ashtu edhe kushëriri i tij i parë.
Policia i jep detaje Gazetasi.al, duke treguar se si vjedhja e banesës kishte ndodhur në datën 18 janar 2022 dhe se si prej aty ishin marrë nga një person me kapuç 127 mijë lekë të reja.
Hajduti shfaqet në kamera dhe sapo e vëren kamerën në dhomë, kthehet pas për të gjetur një mënyrë tjetër dhe më të sigurt se si do të vidhte pa u zbuluar.
“Pasi F., u mor me makinë, – thotë policia, – nisi presioni gjatë udhëtimit, derisa e futën në një magazinë, ku dhe u kërcënua që të tregonte vjedhjen”. Por i riu nuk ka pranuar asgjë. “Pasi nuk pranova E., më qëlloi me shkelm dhe më pas më mori telefonin dhe çelësat e automjetit personal”.
Sipas denoncuesit, ai i kishte orientuar “të njohurit” që për vjedhjen që u kishte ndodhur, të shkonin në polici e të kallëzonin. Sapo policia është vënë në dijeni, thotë se shkoi në shtëpinë e XH.K., për të pyetur, por ky person ka këmbëngulur se shtëpinë ia kishte vjedhur i riu R.F. U morën dhe u shoqëruan në komisariat raporton specialisti i zonës në fashikull, ku secili ka treguar veprimet hetimore që kishin kryer.
“Këqyra kamerat e sigurisë në një servis afër banesës dhe pamë një person të ngjashëm me R.F. Duke qenë se atë ditë isha pushim, u interesova në rrethin tim shoqëror, duke iu treguar videot e marra rrethit shoqëror, arritëm në konkluzionin se autor i vjedhjes ishte shtetasi R.F.,” thotë i riu E.H.
Policia thotë se nga të dhënat operative, vjedhjen e banesës nuk e ka kryer R.F. Por familja e dëmtuar është e bindur që i riu hyri fshehtas në shtëpi dhe u mori mbi 1 milion lekë, ndaj për ta bindur që të pranonte ngjarjen, ata e kanë mbajtur sipas policisë gati 30 deri në 40 minuta.
Policia i thotë Gazetasi.al, se njëri nga të dyshuarit për heqje të paligjshme të lirisë, u paraqit në komisariat për të treguar se ia kishte marrë ai çelësin e makinës dhe telefonin shtetasit me mbiemër F. Po ashtu, vullnetarisht ka pranuar ngjarjen edhe i dyshuari tjetër, që insiston se hajdutët i rrezikuan jetën e familjes.
Të dy ata u prangosën për heqje të padrejtë e lirisë, kanosje dhe dëmtime me dashje./Gazeta Si