TIRANË– Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi dhe deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako janë persnat e radhës që kanë shkelur në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për tu marrë në pyetje në lidhje me inceneratorët. Fillimisht rreth orës 10:30 ka mbërritur Subashi, i cili është pyetur për tre orë me radhë në lidhje me veprimet e tij në inceneratorin e Fierit. Pa praninë e një avokati, Subashi u është përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurorët e posaçëm.
Fill pas tij në SPAK ka shkuar deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako. Edhe ky i fundit është pyetur në lidhje me inceneratorët, në rolin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. Ai ka qenë në këtë post kur janë miratuar lejet për inceneratorët dhe firma e tij rezulton në një numër të madh dokumentesh, për të cilat duhet të ketë dhënë llogari para SPAK. Një tjetër pyetje për të cilën duhet të jetë përgjigjur Bllako, është edhe rroga e babait të tij, Edmond Bllako që është denoncuar në komisionin Hetimor të jetë 10 milionë lekë. Gjithsesi pritet që të zbardhen akoma më shumë detaje në lidhje me këto marrje në pyetje.