Del fotoja e burrit vrasës, që ia nguli thikën bashkëshortes në Fier. Ky është 56-vjeçarit Petrit Mamaj i cili ditën e djeshme vrau me thikë në banesë bashkëshorten e tij Valdete Mamaj, nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës në lagjen Sheq i Madh në Fier. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, ndërsa në trupin e gruas është konstatuar një plagë në shpinë dhe disa shenja në pjesë të tjera të trupit. Uniformat blu kanë marrë njoftim nga vëllai i Petritit, me profesion polic.
Pas grumbullimit të provave është thërritur për të dhënë dëshminë e tij para hetuesve edhe bashkëshorti i viktimës. Pas disa orë marrjesh në pyetje, ai ka pranuar se e ka vrarë ai të shoqen, duke shtuar më tej se dyshonte se e shoqja e tradhtonte, ndaj për këtë arsye ka kryer aktin e rëndë.
Pas krimit, bashkëshorti i viktimës kishte shkuar në lokalin e lagjes dhe ka ngrënë bukë, që ta shikonin të tjerët.
Kur është kthyer në banesë, ai ka thënë se e ka gjetur gruan të vrarë, duke njoftuar vëllain e tij, i cili ka njoftuar edhe policinë. Por, siç raporton gazetarja Bezat, kur autori i krimit është pyetur nga policia për rrethanat, është bërë nervoz, duke ngjallur dyshime te policia, që nga ana e saj, ka zbuluar të vërtetën.
Sipas fqinjëve, çifti nuk ka pasur probleme, ndërsa një ditë para vrasjes ishte larguar nga banesa drejt Gjermanisë djali i tyre. Mësohet se viktima punonte shitëse në një dyqan në qytetin e Fierit, ndërsa bashkëshorti i saj ishte punonjës në shërbimet komunale.
Një i afërm i viktimës nga Levani, thotë se 56-vjeçari kishte probleme të shëndetit mendor. Sipas tij herë-herë ai shfaqte agresivitet. Ai rrëfen gjithashtu se i kishin kërkuar mbesës të divorcohej, por ajo nuk pranonte për shkak të fëmijëve.
“Ishte një ngjarje e dhimbshme për ne. Bëri një vrasje makabre ai dhëndri. Ka qenë me të meta mendore. Këtu e ruante qetësinë, këtu kalonte. I kemi thënë vajzës ta lërë por nuk ka pranuar për hatër të fëmijëve. Edhe ia punonte, por kishte psikozë. Ishte problematik, nga mendja. Herë pas here ushtronte dhunë. Nuk e prisnin të kalonte në këtë ekstrem. Për hatër të fëmijëve nuk e ka denoncuar dhe faji i saj këtu mbetet. U ankohej kushërinjve, ata i thonin lere. Nuk e lë thoshte se kam dy fëmijë”, shprehet i afërmi.