Kryeministri Edi Rama thotë se ditën e djeshme u shmang ajo që ai e quajti “kafshim i përgjakshëm”.
Në një komunikim me demokratët live në Facebook, Rama hodhi poshtë pretendimet e disa komentuesve që thonë se ai u argëtua me atë çka ndodhi dje në selinë e PD.
“Shikon çfarë bëhet me ofertat e tjera. Nuk argëtohem unë. Këtu është e domosdoshme që të gjithë të bëjmë gjithçka, për paqe dhe urtësi dhe kjo ndarje e thellë, kjo përçarje që i pari plaku e ka mishëruar që ditën e parë si një mjet për ti përçare dhe sunduar shqiptarët dhe që i dyti, pasardhësi i marrë me dorë dhe i vendosur si hija e plakut e ka vazhduar si një instrument politik përça e sundo, pa arritur kurrë të sundojë, siç i pari arriti në dy momente duhet parë me sy të hapur nga të gjithë shqiptarët.
Nuk bëhet fjalë për luftë ideologjike, sepse PD e ka braktisur llogoren e trashëgimisë ideologjike dhe ka zgjedhur frontin e betejës që i përkasin një spektri të qendrës së majtë, por që e bëjnë këtë qendër të majtë një hapësirë që është e gatshme të mbledhë rreth vetes forca që shohin tek qendra. Këtu nuk ka argëtim në skenat e djeshme, ato janë ulërimë e brendshme e një mungesë të madhe përgjegjshmëria. Dje u shmang një kafshim i përgjakshëm”, tha Rama.