Mediat greke lajmërojnë se janë 12 të humbur në tragetin italian të linjës Greqi-Itali që kapi flakë në orët e para të ditës së premte. Sipas mediave megjithë përpjekjet që u bënë, për më shumë se 15 orë deri më tani 12 persona rezultojnë të zhdukur.
Prothema shkruan se në traget ndodheshin 290 persona, ku prej tyre 278 janë shpëtuar. Sipas raportimeve në bordin e Grupit Grimaldi ishin 239 pasagjerë dhe 51 ekuipazh. Shumica e të zhdukurve janë shoferë kamionësh që duket kanë qenë duke pushuar në zonën e hambarit ku ka rënë zjarri.
Por për Asociated Press ka folur shoferi shqiptar i quajtuar Zef Lufi. “Mendova se vdekja kishte për mua”, tha shoferi shqiptar i kamionit Zef Lufi për Associated Press pas shpëtimit të tij.
“Kishte shumë tym. Mendova se nuk do t’ia dilnim. Na u deshën rreth një orë e gjysmë para se të hipnim në varkat e shpëtimit dhe rreth tre orë të tjera para se të na merrnin.”
“Gjëja më e keqe është se makinat në garazh janë ngjitur pranë njëra-tjetrës dhe se nuk kishte rrugë shpëtimi”, tha një shofer kamioni grek, i cili nuk dha emrin e tij, pasi mbërriti në Korfuz.
Shkaku i zjarrit ishte i paqartë. Kompania e trageteve me bazë në Itali tha se filloi në një vend ku ishin parkuar automjetet, ndërsa zyrtarët konfirmuan se shtetas nga Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Rumania, Greqia, Italia dhe Lituania ishin në mesin e të shpëtuarve.